5 Simptoma të shtatëzanisë për të cilat duhet të telefononi mjekun tuaj

Gjatë shtatëzanisë është normale të përjetoni ndjesi të cuditshme, ashtu sic është normale edhe të shqetësoheni. Në të shumtën e rasteve, këto ndjesi janë pjesë e ndryshimeve normale që trupi  përjeton teksa një jetë e re rritet brenda jush. Ka raste, kur simptomat që po përjetoni mund të jenë sinjalizuese të komplikacioneve të mundshme. Kur dhe për cfarë duhet të njoftoni menjëherë doktorin tuaj? Cfarë mund të konsiderohet si urgjencë?  

1. Lodhje ekstreme dhe marrjemendsh

Është normale që gjatë shtatëzanisë të ndiheni disi më të lodhura se zakonisht, por shenja të lodhjes ekstreme mund të jenë tregues të anemisë. Anemia, vjen si rezultat i një numri të ulët të rruazave të kuqe të gjakut, që do të thotë se në trup nuk po qarkullon mjaftueshëm oksigjen.

2. Gjakrrjedhje ose njolla gjaku

Nuk është e pazakontë për gratë që të kenë njolla gjaku apo gjakrrjedhje gjatë tremujorit të parë. Madje deri në 20-30% e tyre e përjetojnë këtë gjatë kësaj faze. Pas tremujorit të dytë, njollat e gjakut janë më të rralla.

Pavarësisht kësaj, është më mirë të tregohemi të kujdesshëm dhe të bëjmë kontrollet e nevojshme nëse vini re njolla gjaku, gjakrrjedhje apo dhimbje në zonën e pelvisit.

3. Enjtje në ekstremitete dhe/ose dhimbje të forta koke.

Preeklampsia është ndër rreziqet më të mëdha që mund të prekin nënën ose beben në zhvillim gjatë shtatëzanisë.

Simptomat më të hershme të preeklampsisë janë:

  • Dhimbje të forta koke
  • Të përziera/të vjella (që nuk lidhen me përzierjet në mëngjes)
  • Enjtje të gjymtyrëve ose në fytyrë
  • Ndryshime në shikim
  • Marrje fryme
  • Ankth  

4. Kontraksione

Rreth muajit të pestë trupi fillon të bëhet gati për lindjen:  mund të shfaqet te gjiri, që fillon të rrjedhë kulloshtër; mund të shfaqet dhe nëpërmjet kontraksioneve që njihen me emrin Braxton-Hicks. Këto mund tju gjejnë të papërgatitur, dhe ashtu siç shfaqen papritur, po ashtu largohen menjëherë sapo shtriheni.

Nëse përjetoni më shumë se katër kontraksione në orë, me rritje në intensitet, rrjedhje likidi, dhimbje fundshpine të ndjeshme, telefononi menjëherë mjekun, për tu siguruar që nuk po kaloni në lindje të parakohshme.

5. Pakësim të lëvizjeve të bebit

Diku rreth javës së 13-të dhe 25-të, ju do të filloni ta ndieni fëmijën tuaj të lëvizë. Nënat që e kanë shtatëzaninë e parë, i dallojnë këto lëvizje më vonë se gratë që kanë qenë më parë shtatëzanë, megjithatë është e rëndësishme të keni parasysh se çdo shtatëzani është ndryshe.

 Nëse jeni më shumë se 20 javëshe shtatëzanë dhe ende nuk e keni ndier beben tuaj të lëvizë, është rasti të flisni me obstetrin.

Njëherë që filloni të ndieni lëvizjet e bebes, jini të vëmendshme ndaj ndryshimeve ose pakësimit të tyre (më pak se 10 lëvizje në orë) dhe kontaktoni menjëherë mjekun.

Ju gjithashtu nuk duhet të hezitoni të flisni me mjekun nësë keni temperaturë më të lartë se 38◦C, sekrecione vaginale me ngjyrë dhe/ose me erë, djegie gjatë urinimit etj.

Askush nuk do të donte të përjetonte komplikacione gjatë shtatëzanisë, por ato ndodhin pavarësisht dëshirës tonë. Të dini për cfarë duhët të tregoni kujdes, është mënyra më e mirë për të parandaluar dëme në shëndetin e nënës dhe të fëmijës.  

Leave a reply