Çfarë duhet të dini mbi HPV në 5 fakte
HPV është ndër infeksionet seksualisht të transmetueshme (SST) më të zakonshme. Pjesa më e madhe e infeksioneve HPV nuk shkaktojnë asnjë simptomë dhe eliminohen natyrshëm nga vetë sistemi ynë imunitar. Disa variante te HPV mund të shkaktojnë shfaqjen e lythave dhe disa lloje tumoresh, përfshirë kancerin e qafës së mitrës. Deri më tani nuk kemi asnjë trajtim ndaj HPVs, por kontrollet e rregullta tek gjinekologu mund tju ndihmojnë ti paraprini zhvillimit të infeksionit në diçka më shumë, apo pasoja më të rënda siç janë tumoret.
Është parë se rreth 70% e popullatës, meshkuj dhe femra, bien në kontakt me HPV të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Këto shifra nuk duhet tju trembin, mjafton të kemi informacionin e duhur rreth HPV-s dhe përhapjes së saj.
HPV dhe Kanceri i Qafës së Mitrës
Disa tipe HPV të quajtura ‘’HPV me rrezikshmëri të lartë ’’ janë rezistente ndaj përpjekjeve të sistemit imunitar. Këto tipe të HPV-s mund të shkaktojnë ndryshime në qelizat e cervikale (qafa e mitrës) të cilat me kohën mund të shndërrohen në tumor. Kontrolle të rregullta te gjinekologu si PAP testi dhe testi i HPVs, na ndihmojnë që ti identifikojmë këto ndryshime pre-kancerogjene në faza shumë të hershme, përpara se ato të përbëjnë rrezik për shëndetin tonë . Ndonëse vetë Virusi i Papilomës Humane nuk mund të trajtohet, qelizat anormale që detektohen në qafën e mitrës mund të hiqen, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun e tumorit cervikal. Zakonisht, kancerit të qafës së mitrës i duhen 10-20 vite që të zhvillohet, për këtë arsye edhe gratë që nuk janë më seksualisht aktive, duhet ti nënshtrohen kontrolleve periodike.
Çfarë duhet të dini rreth HPV-s, në 5 (pesë) fakte:
1.Jo çdo tip HPV-je shkakton kancer
Aktualisht njihen mbi 200 lloje HPV-sh dhe shumë pak prej tyre janë të rrezikshëm. Pjesa më e madhe e infeksioneve HPV janë asimptomatike, dhe pastrohen vetë, falë punës së palodhur të sistemit tonë imunitar. Nga ana tjetër, disa variante të HPV-s, nëse nuk diagnostikohen në kohë, mund të shkaktojnë lytha gjenital ose kancer. Dy prej tyre (16 dhe 18) janë përgjegjës për 70% të tumoreve të qafës së mitrës.
2. Ju mund të ulni rrezikun e infektimit me këto hapa
-Përdorimi i prezervativit, mund ta minimizojë rrezikun por jo ta eliminojë plotësisht atë
-Reduktimi i numrit të partnerëve seksualë. Sa më shume partnerë të keni, aq më i lartë risku për infektim.
-Vaksinimi: rekomandohet nga 9-45 vjec.
3. Kanceri i qafës së mitrës nuk është i vetmi rrezik.
Infektimi me HPV është shkaktari kryesor i tumorit cervical, rreth 99% e rasteve të raportuara. Fatkeqësisht, ky nuk është i vetmi tumor i shkaktuar nga infektimi me HPV, Të tjerë tumorë, por më të rrallë janë kanceri i vulvës, vaginës, anusit, penisit, fytit, laringut dhe gojës.
4. Diagnostikimi i hershëm është çelësi i suksesit.
Në rang global, kanceri i qafës së mitrës është ndër tumoret më të zakonshme te femrat (më shumë se 500 000 raste raportohen në vit), nga ana tjetër është më i parandalueshmi dhe i kurueshmi. Detektimi i hershëm i HPVs luan një rol shumë të rëndësishëm në trajtim. Kontrollet rutinë si PAP testi apo testi i HPV-s mund të dallojnë dhe monitorojnë ndryshime anormale në qelizat e qafë së mitrës përpara se ato të bëhen kancerogjene.
5. Ende jeni në kohë të vaksionoheni dhe ne sygjerojmë ta bëni.
Vaksina ndaj HPV-s zakonisht rekomandohet për vajzat dhe djemtë ndërmjet 11 dhe 12 vjeç. Gjithësesi, vaksina ajo mund të bëhet edhe në mosha më të vona. Ndryshimi qëndron në numrin e dozave që administrohen, 1 ose 2 doza në moshë të hershme, dhe tre doza në moshë të vonë. Kjo pasi përgjigja imunitare është më e dobët me kalimin e viteve. Të qenit i vaksinuar redukton në mënyrë të ndjeshme rrezikun e infektimit me HPV. Ajo është efektive ndaj 90% të tipeve të HPV-s që shkaktojnë tumorin e qafës së mitrës. Edhe pse mund të keni filluar aktivitetin seksual, apo të jeni ekspozuar ndaj varianteve të ndryshme të HPVs, ende mund të përfitoni nga vaksinimi dhe të ulni ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të tumorit cervikal. Në raste të tilla, është e nevojshme të konsultoheni paraprakisht me mjekun tuaj gjinekolog.
Nëse jeni të shqetësuar për HPV, mund të konsultoheni me një nga mjekët tanë të specializuar. Ata ju ndihmojnë të kuptoni më shumë rreth HPV-s, PAP testit, vaksinës ndaj HPV-s dhe/ose diagnostikimin e trajtimin e kancerit të qafës së mitrës.
Leave a reply
Leave a reply